Thursday, May 1, 2008

KOMENTARI POETIK ANTON ÇEFA



Anton Çefa, flatrime poetike në kohë


nga Fatmir Terziu

Perceptimi gjeometrik i hapësirës

Perceptimi gjeometrik i hapësirës së prodhuar si produkt i ndjesisë dhe reçencës mendore, jo pak herë ka qenë dhe mbetet një postulat indjeshëm poetik. Në këtë perceptim gjeometrik frymëzimi i autorit Anton Çefaj, shihet si një sferë më vete. Them kështu pasi mjaft krijime të tij ngjajnë me traditën e krijimtarisë poetike bashkëkohore, por që në thelb kanë gjuhën popullore dhe të folurën e thjeshtë. Poezi si grupi i poezive nën titullin “Tubëz lirike” natyrshëm flasin për një gërshetim të tillë dhe një frymëzim që autori gjen në këtë perceptim. Hapësira, pikëlidhja, trysnia përditësore, argumenti dhe koha janë elemëntë që vijnë si një bosht tematik në këtë perceptim gjeometrik.

Larmia fakt-detaj

Në larminë fakt-detaj, ku “etja për nji delir të blertë” vjen si një model në këtë perceptim, natyrshëm kalon në disa hapësira poetike të shkelura e të pashkelura më parë. Në pamje të parë, dhe pikërisht nga gjuha këto poezi ngjajnë me një ‘juctapozicion’ thurës dhe tematik të mbrusur nga krijimtaria e hershme shqiptare, sidomos tipikja e zonës ku autori ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Por në pamjen kryesore dhe në atë që vjen si shkak dytësor më pas, figuracioni është kryengrytës dhe shënon diferencën ose tiparin veçues. Autori ka një lajtmotiv frymëzues të lidhur në mjedisin e ajpekteve jetike, nëse na lejohet të shprehemi për figuracionin që ai e shkëput për të baraspeshuar ‘vegime të ylberta mallesh’ duke sfiduar ‘me duer të brishta’ pikërisht atë veprim që ne e shijojmë teksa ‘teksa engjuj me brerore drite zbresin’.
Në këtë perceptim unë e lexoj ngjashëm autorin. Poezinë e tij e shoh si një akt mitik dhe si një alteracion kohësh, vendesh dhe aspektesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këtu kjo ndërlidhje gërshetohet edhe me sintaksën poetike që siglohet nën peshë fjalish poetike të sistemuara bukur. Poetika e Çefajt natyrshëm në këtë ndërlidhje funksionon si një etje, tamam siç edhe vetë autori poetikisht e shpreh: “Etja më merr për nji delir të blertë”.
Duke parë ndërlidhjen funksionuese në detaj, bie në sy edhe koloriti poetik. Ky kolorit shpeshherë merr pamjen e tij reale dhe shpesh ngjyrohet me nocione të përafërta. Përshembul ‘delir i blertë’ është një përdorim i tillë. Në anën tjetër koloriti poetik i autorit fsheh disi ngjyrimin real për të stigmuar me figuracion, si ‘mendimi n’ballë’, ‘fjala n’buzë’, ‘dritë që troket’ etj, ku ngjyra reale nuk është vënë në pah, por ngjyrimi figurative kryen rolin kryesor.

Jashtë perceptimit

Poezia e Çefajt ka edhe një arsye tjetër të shikohet më shkoqur. Arsyeja që lidhet me këtë fakt është tematika e saj. Ajo pasqyron atmosferën e situatave të mbrujtura me pastërti në mendjen e autorit. Këtu spikat bukuria e dhënies së mesazhit. Ai nuk lexohet gëlltimsi, por fiksohet lehtë. Në leximin e kësaj poezie, natyrshëm duhet njohuri. Poezia “Je nji trëndafil” bie në sy dukshëm në këtë domosdoshmëri njohurie. Në vargun e parë, krahasimi me vargun e Sadiut të shpie gjetkë. Dhe këtu nis udhëtimi imagjinar i mendimit. Këtu njohuria për vargun e Sadiut të kërkon njohuri dhe kërkim të avancuar. Pastaj përdorimi i fjalës së rradhë shqipe, të cilën e ndeshim jo rradhë tek poezia e autorëve, Tufa, Zekthi, Lleshanaku apo edhe ndonjë tjetër, natyrshëm e çon këtë poezi të Çefajt në një shtrat tipik bashkëkohor të ushqyer nga fizionomia poetike e traditës.

“Je nji trëndafil
Që ke mbi në zagnat e gjakut tim,
Si nji varg i Sadiut.”

_____________________________________

ANTON ÇEFA
Poezi

Trokitje drite

Kjo asht dhoma
Ku u fute nji ditë në jetën time
Me do trokitje drite.

M’qe ngri mendimi n’ballë
E fjala n’buzë.

Emni yt
Dritë që troket
Deri në të sosun të stinëve.


I tejdukshëm

I tejdukshëm shikimi yt
Kah rrëzon nji kand ndriçimi
Të dhimbjes sonë
Përskaj nji kohe që kaluem dikur.

I tejdukshëm dëshiri im
E duert tua të zbehta
Që dridhen si flakëz qiri.

E tejdukshme kjo dhomë e zbrazët
E fjala
E fryma
E shpirtnat tonë të tejdukshëm.


Prehje

Po prehem në kolltukun e zvërdhamë
Të mungesës sate.

Hije e dridhshme lamtumire
E varun diku në gjysmë erresirën e dhomës,
Ikja jote.

Aroma e trupit tand erë mersine,
Riti i lashtë i puthjeve që s’e tret koha,
Moria e fjalëve pa mbarim
E gjurmët e kambëve lakuriqe
Mbi qylymin e blertë të kujtesës
Prehen me mue
Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.

Ma e dhimbshme ikja jote
Në pohimin e vështirë:
Çdo gja në këtë jetë asht ikje.


E pakapshme
(një kokete)

E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.

Të kënaqë prania e shikimeve lakmuese
Që vuejnë bardhësinë verbuese
E lakimet e epuna të shtatit tand të hajthëm.

Nji gjysmë buzëqeshje çelun n’ironi
Të ngjitet deri në ballë, ndër sy,
Të zbret kudo, në gji, ma poshtë,
Deri ndër gishta të kambëve.

E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.



Comments for "Anton Çefa, flatrime poetike...
FARUK MYRTAJ
Anton Çefa na nxjerre mallin e asaj letersie qe u nderpre..."deri ne gishta te kambeve".

Na ndihmon, nese deshirojme, te behemi lexues te Atyre qe tashme po i levdojme pa arritur t'ua kuptojme e shijojme te shkruarat.
Dhe "...deri në palcën e brengës/më therin gjembat tuej...", na kujton se arti nuk ka varr: veç simbolikisht prehet ne nje truall ku pritet te mbije serish!
Me kushtin qe nderkohe te jete duke dalë prej vetes edhe Lexuesi.

Faruk Myrtaj
By FARUK MYRTAJOpen in a new window - 9/12/2008

MOTIVET E SHKODRES



ANTON ÇEFA

Motivet e Shkodrës

NJI SHKULM RREZESH

Nji shkulm rrezesh hollake
Të diellit n'prendim
E grisi çarçafin e palamë të reve.

Dangë e përgjaktë përflaket,
Smadhohet e zvoglohet mes resh
Tue përskuqë
Tërthoren e Taraboshit në maje,
Kodrat e Tepes, të heshtuna
Dhe brengën time për qytetin e lindjes.

Nata me hije të bruzta
Do t'më ndryej mbas pak në andrrën e vet.
Atje do të kërkoj
Shijen e nji jete t'grabitun.

Po, edhe nga syni i andrrës
Do t'më spërkasë shkulmi i përgjaktë
I rrezeve t'prendimit..

DRINIT

Kam pi ujin tand
Sa rrajët e këtyne shelqeve që rritën në të tuat brigje
E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash
Jam shkoqë nga toka si zog i trembun
E n'ato plepa qi me maje prekin qiellin
E varen n'rreze t'diellit
Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;
Mandej me dorën e lehtë të flladit
Në gugatjen e valëve tua
Kam la sa e sa herë vargun tim
E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,
S'do të ngopem me ujin tand tanë jetën
Si rrajët e këtyne shelqeve
Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

MOTIV I DIKURSHEM

Drini i lau kambët Kalasë
E dielli, tue u rrxue mbas Taraboshit,
Ia
fali lulkuqin e fundit
Të ditës.

Puthin aroma lulesh
Muret e oborreve të randueme nga shermasheku
E shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
Krrusen
Nën peshën e lodhjes së mbramjes
E të qiellit n'prendim.

Krismat e dyerve që mbyllen njena mbas tjetrës
Dhe të gjitha zhurmat e tjera
Shuhen ngadalë në valët e liqenit.

Me nina-nanën e bulkut të natës
Dremitin rrugët e vetmueme
E Shkodra flen.

Shtregullat

U harruen shtregullat,
Kur "Hovi i madh e hovi i vogël" *
Shlirshem kalamendeshin nën hije të mandave
Dhe duhi shpirtnash
Mbushte me amsim hapsinat.

Kanga kishte tjetër ndriçim
E fjala tjetër tingull
E jeta tjera hove.

* Varg i kangës së shtregullave.

Shnjoni

Si çdo vjetë
Shnjoni i ndezi flakadajt
Dhe valles ia dogji hapin.

Deri në ag të ditës
Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emen të ri
Zakonin e vjetër
E arbërit mbeten arbër.

Zjarre të fikuna dikur
Ndezen rishtas në gjokse e të rijve
Ditën e Shnjonit.

PAX VOBIS !

"Pax vobis ', kufoma jetësh të zhgënjyeme!"
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelqeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.

* U kushtohet patriotëve të pushkatuem mbas mureve të Rmajit, në Zall të Kirit.

Shkodrës

Të kam pa në synin e të gjitha qosheve të rrugëve
E tinzisht
Të kam joshë çdo lakim dëshire
E dridhje zani.

Je tjetërsue sot,
Asht shkërmoqë thelbi i të gjitha fjalëve
E edhe i asaj që njerëzit quejnë dashtni.
E Çinarit të Hoxhës së Dheut
Hija e topitun
Ka humbë gjithmonë kujtesën e nuk më njeh.

Ende më vjen e mbytun
E me nji ritëm të çuditshëm
Jehona e hapave të lirë
(jehonë hapash të dikurshëm
mbi kalldramet tua të mëndafshta
e të buta si tapete).

E më duket se në këto shtjella ajri
Po zvargen ende tingujt e ambël
Të kumbonëve,
Që shpallshin paqen e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë
Por ma tepër e ma
Pse nuk filtrove me ata qiej të ndytë.

Kulti i fjalës


Pesha e fjalës

Kur dora e brengës troket
në damarët e votrës
e prushi i saj përndizet
e harliset
në të gjitha enët e gjakut,
të dhemb shpirti, vëlla,
e peshon si guri fjala
e ma tepër se guri.

Filli i fjalës

Fëmijë,
ia kërkova fillin fjalës:

Përtej bukurisë, qielli,
Përtej dashurisë, nana,
Përtej flijimit, Atdheu,
Përtej vetvetes, emni.

Emni,
në mes të kangës
e të gjamës.


Miha në gojën e shpresës

Miha në gojën e shpresës
e mbolla nji fjalë
e fjala u ba dhimbje.

Lule e shpeshtë e kësaj zagne
qi quhet jetë.

Në skajin e mshehtë të fjalës

Në skajin e mshehtë të fjalës
vuna cakun
e luejta me veten time
rrasabuç .

Vetminë s'e mujta
as veten .
e u rreka
në skajin e mshehtë të mllefit.

Mandej si për shpoti
eshtnave të fjalëve
i vuna nji gur shpani
përsipri .


Kryqëzim

Kryqëzohem tek fjala,
fjala kryqëzohet tek unë.

Në fjalën time digjem,
përsëdytem prap tek fjala.

Hini i stërdjegun i Feniksit
Fjala .


"E para - fjala"

"E para - fjala" - në Ungjill Shën Gjoni -
Në magjen e kaosit të gatuhet drita,
të ndizet prushi diellor
ditën
dhe kandilat e yjeve natën!"

E Fausti i urtë: "Në fillim asht vepra.
Vepra i jep frymën fjalës
E botës."

Rendi hyjnor e ai njerëzor
Përzihen.
Njeriu përpëlitet në andralla.


Urnë

Hini i djegun i fjalëve
Në urnën e gjoksit
Ende më ngroh
E më djeg.

Kur e përzien nji dorë
derdhun malli
e i fryn nji erë dëshire,
merr dritë ngadalë,
rilindin ndër vezullime fjalët,
të hijshme
e të urta.


Kulti i fjalës

Ka nji kufi të artë
gjithësia :
aty ku mbaron së djeguni
nji botë
fillon nji tjetër botë
e gjallë me fije bari e jete.

Në altarin mes dy botëve
si lutje e shejtë
kulti hyjnor i fjalës
ringjallë në dritë.

Lirika dimnore


Rosat e egra

Në horizontet e mbylluna
përhumbet e tretet ngadalë
vizatimi gjeometrik i rosave të egra -
trazim i përkohshëm
i qiellit gri të shpirtit dimnuer,
që tërhiqet i trembun
nga mospërfillja e klithmave të tyne
të lamtumirës.

Puthjet e bardha

Flurore fjolla bore
zbresin fushoreve.

Nji mori lulesh në xham
sajojnë puthjet e bardha.
dikush shpejton të hapë nji shteg
te rruga,
nën derë të moshës nji plak
i ndrydh mendimet.

Fjollat e borës flurore
ngadalë
zbresin fushoreve.

Dimen

Dheun e mbulon
bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
me mija forma
lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme
të ftohta
puçrrizen mbi gishtat e degëve
që presin pranverën.

Shtjellë bardhësie

Fije prrallash të bardha
e mallesh
bien
e nji rrënkim i heshtun
stiset diku larg
si nji laureshë
qi shkepet nga kaçuba trembshëm.

*
E varun në bardhësi
t' panjollë
rri pezull qenia ime
e dhimbja
e fjala
mbështjellen me të bardhë.

*
S'asht iluzion, bie borë
e lind nji fill të ngrohtë mendimi
herë-herë të hallakatun,
flauri e bardhë,
ravgim i paqtë nga qielli
si nji bekim i epërm
mbi shtrojet e dhimbjes sonë.

Valle ernash

I
Valle ernash fryjnë,
murlani e veri,
dhe unë pingul
mbi shtrojën e ngritë të dheut
i mbështjellun me nji litar hutimi,
kujtohem se jam lojë e tyne
e ndjej morniza në trup.

II
Qielli randon
mbi pemë të zhveshuna
dhe unë i krrusun
tue bartë përhumbshëm
atë peshë të përhimtë.

III
Rrëmujë e bardhë
e hallakatun qiejsh
mbulon çdo gjurmë handraku
e unë i strukun
nën pelerinën e nji ankthi të verdhë
që rreh me u ba i bardhë.

Kujtim i bardhë

Në ndriçimin e borës
pranë shtegut të mrinave
mezi dallojmë frymën e pëshpëritjes sonë.

Më fale si kujtim këtë mbramje
që do të më shkelqejë gjithnji
nga ky mall i bardhë.

Unë po të jap nji flok bore,
e dashtun,
kujtim i bardhë
i këtij muzgu të ngritë e të dritshëm.

Sa ngohtë e ndiem veten!