Thursday, May 1, 2008

Motivet e Shkodres - poezi nga Anton Çefa



ANTON ÇEFA

Motivet e Shkodrës

NJI SHKULM RREZESH

Nji shkulm rrezesh hollake
Të diellit n'prendim
E grisi çarçafin e palamë të reve.

Dangë e përgjaktë përflaket,
Smadhohet e zvoglohet mes resh
Tue përskuqë
Tërthoren e Taraboshit në maje,
Kodrat e Tepes, të heshtuna
Dhe brengën time për qytetin e lindjes.

Nata me hije të bruzta
Do t'më ndryej mbas pak në andrrën e vet.
Atje do të kërkoj
Shijen e nji jete t'grabitun.

Po, edhe nga syni i andrrës
Do t'më spërkasë shkulmi i përgjaktë
I rrezeve t'prendimit..

DRINIT

Kam pi ujin tand
Sa rrajët e këtyne shelqeve që rritën në të tuat brigje
E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash
Jam shkoqë nga toka si zog i trembun
E n'ato plepa qi me maje prekin qiellin
E varen n'rreze t'diellit
Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;
Mandej me dorën e lehtë të flladit
Në gugatjen e valëve tua
Kam la sa e sa herë vargun tim
E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,
S'do të ngopem me ujin tand tanë jetën
Si rrajët e këtyne shelqeve
Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

MOTIV I DIKURSHEM

Drini i lau kambët Kalasë
E dielli, tue u rrxue mbas Taraboshit,
Ia
fali lulkuqin e fundit
Të ditës.

Puthin aroma lulesh
Muret e oborreve të randueme nga shermasheku
E shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
Krrusen
Nën peshën e lodhjes së mbramjes
E të qiellit n'prendim.

Krismat e dyerve që mbyllen njena mbas tjetrës
Dhe të gjitha zhurmat e tjera
Shuhen ngadalë në valët e liqenit.

Me nina-nanën e bulkut të natës
Dremitin rrugët e vetmueme
E Shkodra flen.

Shtregullat

U harruen shtregullat,
Kur "Hovi i madh e hovi i vogël" *
Shlirshem kalamendeshin nën hije të mandave
Dhe duhi shpirtnash
Mbushte me amsim hapsinat.

Kanga kishte tjetër ndriçim
E fjala tjetër tingull
E jeta tjera hove.

* Varg i kangës së shtregullave.

Shnjoni

Si çdo vjetë
Shnjoni i ndezi flakadajt
Dhe valles ia dogji hapin.

Deri në ag të ditës
Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emen të ri
Zakonin e vjetër
E arbërit mbeten arbër.

Zjarre të fikuna dikur
Ndezen rishtas në gjokse e të rijve
Ditën e Shnjonit.

PAX VOBIS !

"Pax vobis ', kufoma jetësh të zhgënjyeme!"
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelqeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.

* U kushtohet patriotëve të pushkatuem mbas mureve të Rmajit, në Zall të Kirit.

Shkodrës

Të kam pa në synin e të gjitha qosheve të rrugëve
E tinzisht
Të kam joshë çdo lakim dëshire
E dridhje zani.

Je tjetërsue sot,
Asht shkërmoqë thelbi i të gjitha fjalëve
E edhe i asaj që njerëzit quejnë dashtni.
E Çinarit të Hoxhës së Dheut
Hija e topitun
Ka humbë gjithmonë kujtesën e nuk më njeh.

Ende më vjen e mbytun
E me nji ritëm të çuditshëm
Jehona e hapave të lirë
(jehonë hapash të dikurshëm
mbi kalldramet tua të mëndafshta
e të buta si tapete).

E më duket se në këto shtjella ajri
Po zvargen ende tingujt e ambël
Të kumbonëve,
Që shpallshin paqen e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë
Por ma tepër e ma
Pse nuk filtrove me ata qiej të ndytë.

Kulti i fjalës


Pesha e fjalës

Kur dora e brengës troket
në damarët e votrës
e prushi i saj përndizet
e harliset
në të gjitha enët e gjakut,
të dhemb shpirti, vëlla,
e peshon si guri fjala
e ma tepër se guri.

Filli i fjalës

Fëmijë,
ia kërkova fillin fjalës:

Përtej bukurisë, qielli,
Përtej dashurisë, nana,
Përtej flijimit, Atdheu,
Përtej vetvetes, emni.

Emni,
në mes të kangës
e të gjamës.


Miha në gojën e shpresës

Miha në gojën e shpresës
e mbolla nji fjalë
e fjala u ba dhimbje.

Lule e shpeshtë e kësaj zagne
qi quhet jetë.

Në skajin e mshehtë të fjalës

Në skajin e mshehtë të fjalës
vuna cakun
e luejta me veten time
rrasabuç .

Vetminë s'e mujta
as veten .
e u rreka
në skajin e mshehtë të mllefit.

Mandej si për shpoti
eshtnave të fjalëve
i vuna nji gur shpani
përsipri .


Kryqëzim

Kryqëzohem tek fjala,
fjala kryqëzohet tek unë.

Në fjalën time digjem,
përsëdytem prap tek fjala.

Hini i stërdjegun i Feniksit
Fjala .


"E para - fjala"

"E para - fjala" - në Ungjill Shën Gjoni -
Në magjen e kaosit të gatuhet drita,
të ndizet prushi diellor
ditën
dhe kandilat e yjeve natën!"

E Fausti i urtë: "Në fillim asht vepra.
Vepra i jep frymën fjalës
E botës."

Rendi hyjnor e ai njerëzor
Përzihen.
Njeriu përpëlitet në andralla.


Urnë

Hini i djegun i fjalëve
Në urnën e gjoksit
Ende më ngroh
E më djeg.

Kur e përzien nji dorë
derdhun malli
e i fryn nji erë dëshire,
merr dritë ngadalë,
rilindin ndër vezullime fjalët,
të hijshme
e të urta.


Kulti i fjalës

Ka nji kufi të artë
gjithësia :
aty ku mbaron së djeguni
nji botë
fillon nji tjetër botë
e gjallë me fije bari e jete.

Në altarin mes dy botëve
si lutje e shejtë
kulti hyjnor i fjalës
ringjallë në dritë.

Lirika dimnore


Rosat e egra

Në horizontet e mbylluna
përhumbet e tretet ngadalë
vizatimi gjeometrik i rosave të egra -
trazim i përkohshëm
i qiellit gri të shpirtit dimnuer,
që tërhiqet i trembun
nga mospërfillja e klithmave të tyne
të lamtumirës.

Puthjet e bardha

Flurore fjolla bore
zbresin fushoreve.

Nji mori lulesh në xham
sajojnë puthjet e bardha.
dikush shpejton të hapë nji shteg
te rruga,
nën derë të moshës nji plak
i ndrydh mendimet.

Fjollat e borës flurore
ngadalë
zbresin fushoreve.

Dimen

Dheun e mbulon
bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
me mija forma
lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme
të ftohta
puçrrizen mbi gishtat e degëve
që presin pranverën.

Shtjellë bardhësie

Fije prrallash të bardha
e mallesh
bien
e nji rrënkim i heshtun
stiset diku larg
si nji laureshë
qi shkepet nga kaçuba trembshëm.

*
E varun në bardhësi
t' panjollë
rri pezull qenia ime
e dhimbja
e fjala
mbështjellen me të bardhë.

*
S'asht iluzion, bie borë
e lind nji fill të ngrohtë mendimi
herë-herë të hallakatun,
flauri e bardhë,
ravgim i paqtë nga qielli
si nji bekim i epërm
mbi shtrojet e dhimbjes sonë.

Valle ernash

I
Valle ernash fryjnë,
murlani e veri,
dhe unë pingul
mbi shtrojën e ngritë të dheut
i mbështjellun me nji litar hutimi,
kujtohem se jam lojë e tyne
e ndjej morniza në trup.

II
Qielli randon
mbi pemë të zhveshuna
dhe unë i krrusun
tue bartë përhumbshëm
atë peshë të përhimtë.

III
Rrëmujë e bardhë
e hallakatun qiejsh
mbulon çdo gjurmë handraku
e unë i strukun
nën pelerinën e nji ankthi të verdhë
që rreh me u ba i bardhë.

Kujtim i bardhë

Në ndriçimin e borës
pranë shtegut të mrinave
mezi dallojmë frymën e pëshpëritjes sonë.

Më fale si kujtim këtë mbramje
që do të më shkelqejë gjithnji
nga ky mall i bardhë.

Unë po të jap nji flok bore,
e dashtun,
kujtim i bardhë
i këtij muzgu të ngritë e të dritshëm.

Sa ngohtë e ndiem veten!


No comments: