Thursday, May 1, 2008

Analizë thellësore e romaneve të Anton Nikë Berishës


Analizë thellësore e romaneve të Anton Nikë Berishës


Mbi librin e Domenico Corradini H. Broussard , Narrando gli abisi. Tre romanzi di Anton Nikë Berisha & Rrëfime të thellësive - Rreth tri romaneve të Anton Nikë Berishës. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2009.


[AntonC.jpg]

nga ANTON ÇEFA


1. Romane që të pushtojnë e të befasojnë

Kemi në dorë në një botim të vetëm tri ese, në italisht dhe shqip, të Domenico Corradini H. Broussard-it 1) për tri romanet e Anton Nikë Berishës: “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, “Nëna e dritës” dhe “Ferri i lodhur”.

Një fill sui generis veçanëson veprimtarinë interpretuese (parashtruese) të Corradinit: dëshira të shprehet e jo vetëm të shprehë. E pushton gjithnjë kjo dëshirë dhe nuk i ndahet; i shndërrohet në synim. Përshkon ajo gjithë strukturën e veprës, në të cilën analizës së romaneve i prin një “Para/Tekst i pasuar nga një “Autodafé “.

“I shkruaj këto faqe, thotë ai në Para/Tekst, si hyrje ose si paraqitje të vetvetes, unë një adhurues i albanologjisë, 2) i shkruaj për të dëshmuar se këto romane më kanë pushtuar dhe befasuar . . . dhe më shkaktojnë pa ndërprerje një ‘mahnitje’.”

Në romanet e Berishës, pohon Corradini, “poezia bëhet filozofi e filozofia poezi”, duke emërtuar me poezi letërsinë. Të njëjtën gjë mund të pohojmë ne për prozën parashtruese të Corradinit, e cila shtjellohet në të njëjtin relacion filozofi-poezi. Dukuri që ai vetë na e ka shfaqur në Autodafé, me çiltërinë që e karakterizon stilin e tij: “filozofët më çmojnë tepër poet, ndërsa poetët tepër filozof”.

Lëvrimet e veta në hullitë e artit letrar, ai i quan shkurt “një shkëndijë vezulluese, por asnjëherë e ndërprerë”, dhe rezultat i ndjesisë dhe i mendimit, i artit letrar dhe i filozofisë, që synojnë gjithnjë në hulumtimin e “humnerave” të shpirtit njerëzor, për të dhënë mesazhe humane. “Në ushtrimin e përditshëm të qepjes dhe të shqepjes së rrokjeve, veçmas nëse rrëfehen humnerat, aty dhembja dhemb . . .”

E shtjelluar dhe e argumentuar në shtratin e një kulture të gjerë, që konkretizohet në citime të shumta, lënda parashtruese e Corradinit na shpalos vlerësime teorike të ndryshme. Kështu, fillon të lexosh “Rrëfime të thellësive” si kritikë letrare, por ushqehesh, si pa u kujtuar, me mendime teorike estetike, filozofike, psikologjike, etj.: “Poezia është një nevojë arketipi (...) Si një pe zbukurues që përshkon intrigën e historisë dhe e përçon në mënyrë arabeske. Në empatinë korale, i detyron brezat e së djeshmes, të së tashmes e të së ardhmes në një fat të vetëm. I detyron në fatin e dashurisë e të dhimbjes, . . . në po atë fat që në romanet e Anton Nikë Berishës e bën dashurinë një dhimbje të ëmbël”.

Dhe është kjo dashuri-dhimbje që ngjall qetësi e çlirim shpirtëror, kënaqësi e gëzim tek ai që i dhurohet dhe tek vetë dhuruesi, është kjo dhimbje-dashuri që peshon në synimet morale të artit letrar: “Romanet e tua të zemërimit të madh, i drejtohet ai autorit, të kanë rikthyer tek rrënjët e pemës së parajsës (ederike): pemës së Njohjes së të Mirës e të së Keqes, nga e cila hija e puer aeternus digjet prej dëshirës”.

Duke gjetur tek veprat e Berishës origjinalitet e arritje artistike jo vetëm me vlerë për letërsinë shqipe, po edhe më përtej, ai bën pohimin e rëndësishëm për letërsinë: “Letërsia nuk dallohet për gjuhën në të cilën shkruhet. Letërsia dallohet vetëm me atë që nuk është letërsia”.
Amën e frymëzimeve dhe realizimeve rrëfimtare të Berishës, Corradini e gjen tek kujtimet e jetës dhe botës shqiptare, “Vendit të Shqiponjave”. Dhe i njeh autorit meritën e lartësimit të vendit të vet, Shqipërisë, nga hartat gjeografike dhe shndërrimit në “simbol të një gjeografie tjetër, të gjeografisë imagjinative”.

Corradini e di mirë që “akti i mirëfilltë letrar është pikësëpari akt i mirëfilltë gjuhësor”; prandaj ai vë në dukje faktin që tek Berisha “është një kërkim gjuhësor që nuk e gjen tek shkrimtarët e tjerë”; sintaksa e Berishës është vetjake; ai “nga çdo fonemë nxjerr ndonjë gem të lakuar, lakim që bëhet jetë. E këta gema, që i kanë gjembat si bisqet e trëndafilit, në fund lulëzojnë dhe lëndojnë”. Ose, leksiku që përdor Berisha është “një gërshetim shumëngjyrësh i fjalëve të nxjerra nga harresa e fjalëve të bisedimit të përditshëm, (që) zhburgoset nga vuajtja më e madhe: nga vuajtja për vuajtjen e të tjerëve”.

Vetë gjuha e përdorur nga autori, vë re Corradini, ku “përherë është një shqiponjë rrokësore, që kalon nga rrokja në rrokje dhe në çdo rrokje ndalohet për pak kohë dhe të gjitha rrokjet i lidh në tërësi kohësisht të pafund . . .”, i jep narratives së Berishës dimension përjetësie, mbasi Parmenida, duke mos iu nënshtruar Chronosit qëndron e palëvizur “buzëqeshje e bardhë, e përjetshme e hënës”, shprehje aq e pëlqyer e Corradinit për të treguar dimensionin gjithëkohor dhe lartësitë artistike të narratives së Berishës.

Me shprehje kuptimisht të rënduara dhe artistikisht të hijshme vihet në dukje vërtetësia artistike e krijimtarisë imagjinative të Berishës: “Nga ti kam mësuar, Anton i dashur, që mbiemrat që i përdor dendur, edhe kur shfaqen sinonimë, të shërbejnë të japësh cilësinë e emrave, cilësia e qenësisë kundër dukjes “das Wesen gegen das Scheinen”.

Veç vlerave të së vërtetës artistike, të mjeshtërisë figurative, simbolikës së gjetur, gjuhës së veçantë dhe të dimensionit kohor, Corradini i njeh prozës tregimtare të Berishës edhe atributin e universales gjeografike.

Kështu që gjeografia imagjinative e veprave të tij nuk i takon vetëm “vendit të shqiponjave”, por edhe një mjedisi dhe lexuesi të kudondodhur: “Nga ti kam mësuar, Anton i dashur, që në gërshetimin e intrigës e të nënintrigave, ku çdo nënintrigë është në vete një intrigë, unë rrëfimtari shpreh dhe duke u shprehur shqipton si skulptura ‘a tutto tondo’, që unë rrëfimtari rrëfen historinë e vet duke i rrëfyer historitë e të tjerëve, që unë rrëfimtari rrëfen historinë ‘tënde’, e rrëfen pa biografi, për të dëshmuar se kjo histori është e ‘jotja’, e ‘imja’, e ‘tij’, histori e të gjithëve. Në këtë citim spikat edhe një çështje e rëndësishme estetike, e shtruar në mënyrë origjinale, ajo e marrëdhënieve mes autorit dhe lexuesit, aq e diskutuar në zhvillimet estetike të kohëve të fundit nga shumë studiues.


2. Këngë malli për origjinën – për rrënjët

Objekti kryesor i artit të Berishës, ku edhe përqendrohet analiza e Corradinit, është hulumtimi i botës shqiptare, kryesisht i “humnerave” të nënvetëdijes së saj, dhe pasqyrimi artistik i kësaj bote, jo për t’u rrëzuar në humnerat, por për t’i ndriçuar ato dhe për të mundësuar daljen prej tyre, “për t’i ndihmuar ta marrin përpjetën e dhimbjes”.

Gjin Bardhela, heroi i romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar“, për interpretuesin Corradini, është shqiptari arketipal i mërguar nga atdheu për të ruajtur lirinë personale. I strukur në nënvetëdijen e vet, aty ku gjallit arketipi, Gjini është “i pavetëdijshmi personal i Berishës”, ai “i përngjan (Berishës) si një binjak dhe si hije e ndjek nëpër kalldrëmet plot me kryqe”. Në kohën kur e ka braktisur e gjithë bota, “shqetësohet për të vërtetën e vet ekzistenciale” dhe si Zarathustra i Niçes, filozofi i preferuar i Corradinit, rivlerëson të gjitha vlerat, tokësore dhe trashedentale. Për autorin e studimit, ai është hero i mendimit, një hero i jashtëzakonshëm, sepse “ka guximin dhe pavetëdijen të shtrojë pyetje” (a nuk ka filozofuar gjithnjë shqiptari edhe në majë të shkrepit?), dhe “nuk u nënshtrohet konvencioneve, po bindjeve të veta, ai e njeh artin e shikimit e të tejshikimit. Si Niçes, atij i duhet “të vallëzojë në zinxhirë”, të jetojë në një lëmsh kundërthëniesh, që në mënyrë të pavetëdijshme e çojnë tek “ndjenja e së vërtetës, a së paku tek e vërteta e vet”; mbasi “të vërtetat, sipas Niçes, janë iluzione”. Si mjeshtër i sendërtimit të portretit përmes përkufizimeve eseistike, ndonjë prej të cilave e dhamë më lart, Corradini i vë në gojë Gjinit kumtin, aq të thellë nga kuptimi: “jam historia, por jo në histori, jam historia ime”. Vërtet ai është histori, por jashtë historisë, ai është historia e vet; një histori që i ka rrënjët jo vetëm në pavetëdijen personale, por edhe në atë kolektiven, në ëndrrat shekullore të njerëzimit.

Më përtej, për Corradinin, Gjin Bardhela-Anton Nikë Berishë, është edhe heroi i kujtimeve. I kujtimeve që përjetohen me mall dhe i mallit që përpiqet të fashitet ndër kujtime, por që nuk gjen qetësi. Është “Kënga e mallit (e kënduar) në solo violinë” - siç e ka titulluar autori esenë për këtë roman, - është kënga e mallit “për origjinë, për rrënjët e vyshkura, por jo të thata”, është kënga e mallit që e shtyn “të gjejë farën e identitetit të vet të humbur të arbëreshit e ta mbjellë midis bucave të dheut”, për ta ruajtur nga stinët e ngrita, dhe për ta mbajtur gjithnjë gjallë. Gjini është i dënuari nga malli, “një i dënuar mes atyre të dënuarve që i thërrasin kështu për arsye se janë të mërguar kudo, kudo të mohuar si bij të askujt”, por që e ka zemrën plot dashuri, sepse “e kapërcen të përditshmen për absoluten”. Me nota të thekshme dhimbjeje dhe me një teh të mprehtë ironie, Corradini shkruan: “Për të dënuarin nga malli është e domosdoshme të mos ketë atdhe, për të qenë qytetar i të gjithë atdheve”.

Meritë e dorës së parë për letërsinë, e sidomos për narrativën, është forca përgjithësuese e faktit artistik, të cilën analizuesi Corradini e gjen të realizuar me mjeshtëri te romani për arbëreshin Gjin. Tek ky hero është sendërtuar shqiptari i përjetshëm, i mbështjellë në fatalitetin e tij mërgimtar, shqiptari-udhëtar i përjetshëm, i dikurshëm dhe i sotëm, që ecën i kapërthyem në destinacionin e tij, në rrugën që shkon e s’kthen, aq herë e përsiatur në thellësitë e nënvetëdijes së përrallave të hershme të paraardhësve. “Po e lë shtëpinë time, jam i detyruar ta braktis, s’ka punë këtu, s’ka bukë këtu, s’ka ardhmëri këtu, komunizmi dergjet nën tullat e betonit të Murit të Berlinit, e nën statujën e madhe e të rrëzuar të Enver Hoxhës, ik, ik nga këtu ussahè, ik, ik por në trastën time ngjyrë të murrme kam vënë një copë të tokës sime. Një grusht dhé, nga ky dhé kam lindur dhe në këtë dhé do të kthehem”.

Por, edhe në këto rrethana, ai, Gjini, hero i i kujtimeve, i mallit, i emigrimit, i mendimit, nuk stepet, por shkon përpara dhe është i aftë të krijojë rishtas kozmogoninë e vet, sepse ai është “metafora e jetës në udhëtim”.

(Vetëm një interpretues që jo vetëm ka lexuar me dashuri, dhembje dhe vlerësim të lartë romanin e arbëreshit Gjin Bardhela dhe dy romanet tjera të Berishës; atë të Nënës Terezes dhe të Sutë Sutores, vajzës që mbijetoi luftën e fundit të Kosovës; por edhe ka lindur dhe jetuar në fëmijërinë dhe rininë e tij të parë në Kalabri, pranë arbëreshëve, dhe e përjeton atë si “vis shpirti”, mund të shkruajë me kaq dashuri, dhembje e nderim për arbëreshët dhe për popullin tonë).


3. Përsiatje për dritën dhe për pastërtinë e shpirtit

Esenë për romanin “Nëna e Dritës”, në të cilën, Berisha e bën Nënë Terezen “të rijetojë në një prozë të thellë dhe të hirtë”, roman që “dihat frymën e profecive të vërtetuara”, e ka titulluar shkurt me një simbolikë të ndritshme: “Kantiku i dritës”. Si pikënisje për të analizuar këtë vepër, Corradini ndjek rrugën e përvuajtur të “të rrëfyerit në kohë të tashme”, duke e vënë Nënën Tereze përballë Cezarit, që “i veshur me armore vezulluese të urdhëruesit . . . krijon një alter ego për bëmat e egos: veten e tretë njëjës: Cezari erdhi, Cezari pa, Cezari fitoi”. Ndërsa “Nëna Tereze, e veshur me petkun e përvujtë të murgeshës “vjen dhe sheh, por nuk fiton çdo herë”.

Në këtë vijë arsyetimi, ravijëzohet jeta e Nënës Tereze, paraqiten fitoret dhe humbjet e saj. Dhe kur humb, lind nevoja të rinisë nga e para. Si te Yeats-i: “Mbasi është braktisur shkalla vetiake, pa thënë me keqardhje “my ladder is gone”, lind nevoja të zbritet përsëri poshtë, aty “where all ladders start”.

Dhe tregohen fitoret dhe humbjet e Nënës Tereze, që “jeton nëpër vepra e jo në synime”, jetësimet e “Zemrës së Dëlirë” dhe të “Qytetit të Paqes”; sendërtime të themeluara mbi dashurinë: “Dashuria ka ligjet e veta. Edhe atëherë kur ky ligj quhet flijim. Edhe kur quhet fe. Edhe kur quhet ekstremizëm i fesë”.

Si krijesë e zakonshme prej mishi e gjaku, Nënë Terezen, “kur ndien heshtjen e Zotit të saj midis të sëmurëve të pashërueshëm dhe që do të vdesin nga SIDA”, e mbërthen mëdyshja: “a nuk është absurdum të vijosh të besosh se mëshira hyjnore ndodhet kudo dhe ndrin gjithkund”. Këtu, Corradini gjen rastin të na japë një mikroese, në rrafsh psikologjik, për dyshimin dhe besimin, ku ndër të tjera thuhet: “Në rast se për të kuptuar lumturinë na duhet fati i keq, në rast se terri na duhet për të kuptuar dritën, dyshimi na duhet për të kuptuar të vërtetën”; “Besimi na del i pathyeshëm më pas, kur është përshkundur nga stuhia e dyshimit dhe i bën ballë, kur lëkundet por nuk thyhet dhe ngrihet përsëri në këmbët e veta (...) Besimi që dyshohet. Dyshimi që kapërcehet. Besimi që rifitohet”; ja rrugëtimi shpirtëror i mëdyshjes njerëzore.

“Kanntiku i dritës”, mbasi pikëzohet poetikisht një përsiatje filozofike për dritën, qenësinë e saj si dukuri e amshuar, përfundon me dy pyetje dhe një përgjigje, ku vihen në marrëdhënie estetike, të një estetike të fjalës së fundit, autori, protagonisti i veprës dhe lexuesi: “A thua ka rrëfyer veten Nëna Tereze në metarrëfimin e Anton Nikë Berishës? Apo ka rrëfyer veten Anton Nikë Berisha duke rrëfyer për Nënën Tereze? Që të dy kanë rrëfyer veten. E edhe unë me ta, falë tyre, përmes tyre, përtej tyre”.


4. Roman i humnerave të nënvetëdijes

Nën emërtimin “E diela pa Perëndim” është shqyrtuar romani “Ferri i lodhur “, që trajton shëmtinë e krimit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë analizë, Corradini vijon të shqyrtojë dhe të hedhë dritë mbi elementet e mjeshtërisë artistike të Berishës në hartimin e veprës, duke zbërthyer me profesionalizëm, me një kulturë të gjerë, në rrafshe filozofike, estetike dhe psikologjike, probleme të tilla si simbolikën dhe simbolikat e tekstit, universalizimin e fakteve jetësore të bartura në art, mesazhet për ngjarje të veçanta dhe mesazhin e përgjithshëm të veprës, etj.

“Ferri ekziston, thotë Corradini, por tashti, për Anton Nikë Berishën, që me një metaforë të çmueshme përtërin traditën teologjike të Krishterimit, Ferri është i lodhur”. Ai “është lodhur duke rrasur e ngjeshur në vorbullën e shkëndijave të veta të gjithë ata që kanë vijuar, në jetë, të endin, me fillin e zi të thanatosit, ngjarje dhune dhe shtypjesh, histori ku njeriu bëhet ujk midis qengjave që do të bëhen therorë, ngjarje ku padrejtësitë shkojnë e u shtohen padrejtësive dhe ngjallin zemëratë dhe jo nënshtrim, ndodhi ku përshkelet dinjiteti i njeriut dhe ai detyrohet të shkojë e të struket në skajet fundore të jetës, në banesën e vetmuar të vetëdijes”.

Në këtë banesë të vetmuar, komenton Corradini, e përjeton jetën e vet Sutë Sutorja, heroina e romanit, duke kërkuar t’u japë një kuptim sendeve, një kuptim që nuk e kanë. Ajo rrëfehet si rrëfehen autori i veprës dhe interpretuesi i saj. Duke qenë arketipi i “Së Mirës absolute”, siç e cilëson Corradini, ajo tregon historinë e Via Crucis të vet dhe të popullit të vet gjatë kësaj lufte. “Duke imituar Krishtin dhe duke e thirrur që t”i rrinte në krah Të Premten e Mundimeve që po e pret, hedh mbi shpinë kryqin e vet dhe bën përpara me guxim drejt kalvarit të saj, e shkapetur sa andej-këndej nga një duhi e gjithsesi si një gjethe e kapur fort mbas Pemës së Njohjes së të Mirës dhe të së Keqes”.

Deri në shkallët më të larta të mjeshtërisë artistike, vlerësohet, në një prozë parashtruese po aq artistike, ligjësimi estetik i sendërtimit në vepër të bartjes së realitetit konkret jetësor në realitet artistik, që krijohet në vepër: “me ndihmën e asaj magjie të universales që Berisha di t’ua veshë fakteve historike dhe që e shtyn të shkrijë në një të kaluarën dhe të sotmen në një mjedis infrahistorik dhe arketip”...

Me simbolikë vepron edhe Corradini në hullitë e punës së vet kritike. Via Crucis e Sutës nis nga e Premtja e Mundimeve, vijon me të shtunën, që duke kaluar përmes pastrimit me ujë, ujët e gjithë herës është simbol dlirtësimi (mbasi “Berisha e njeh me rrënjë simbolikën biblike, jo vetëm semiotikën”), për të kaluar atje ku zë fill “Lartimi, ngjitja në qiell e të Mirëve dhe të Drejtëve” dhe që pasohet nga “E Diela e Ringjalljes, E Diela që nuk perëndon”, filli i artë drejt absolutes. Dhe emri i heroinës “lartohet në majat e kozmogonisë. Në fillim të fillimit. Në fillim të botës. Në fillim të çdo fjale. Në fjalën që parashikon dhe përmbledh të gjitha fjalët e tjera. Në fjalën më të vështirë për t’u shqiptuar dhe për t'u praktikuar: në fjalën e dashurisë”.

Duke ritheksuar forcën përgjithësuese të tekstit, Corradini vëren: “Në fund të romanit të bukur, ku Berisha me durim dhe dije ka sendërtuar gurët e mozaikut dhe vetë mozaikun, nuk mbetet as tragjedia e një populli. Mbetet vetëm tragjedia . . . Dhe nuk kërkon përsëritje, sepse Ferri është lodhur duke duruar padrejtësi”.


*

Dëshira e kritikut “për t’u shprehur ka ndikuar në përftimin e një stili të veçantë, një stil që buron e formësohet nga një çiltëri e epërme dhe nga një dashuri e admirim për veprën dhe autorin e saj; një stil tejet komunikues. Herë pas here, ai i drejtohet autorit si shok, si mik, si mësues: “ Nuk heq peshë, Anton i dashur, gjuha që përdor, duke e nxjerrë nga fjalori që vjen nga ilirët. Ke mundur të shkruash në gjuhën aramaike ose turke ose serbe, rezultati do të ishte i njëjtë.”

Një stil që buron nga një afri e intimitet shpirtëror, refleks i një simbioze të kuptimësisë dhe vlerësimit të dukurive reale dhe trashedentale, të jetës dhe të artit, i bashkon autorin dhe interpretuesin. Aq bindës vjen ky pohim sa të dy njësohen “në buzëqeshjen e përjetshme të bardhë të hënës”.

Në studimet tona kritike është e rrallë, por nuk është e panjohur një dukuri e tillë. Ndjehet qartë sidomos tek Noli e Kuteli; tek i pari në introduktën e “Rubairave” të Omar Khajamit”, tek i dyti në esenë që ka shoqëruar “Yllin e Zemrës” të Lasgushit. Te Noli vezullojnë, si te Khajami, adhurimi i “lirisë së mejtimit”, stoicizmi në jetë, admirimi për artin poetik, ndjesia për forcën e stilit; ndërsa në prozën komentuese të Kutelit derdhen në një fluiditet shpirtëror të përbashkët Kutel - Poradec himnizimi i poetit dhe mahnitja nga xhevahiret e tij poetike.

Ka lartësi kulmore kjo dukuri tek Corradini, i cili na e pohon vetë kur shkruan: “Jetoj duke menduar gjërat e përjetshme. Dhe ka frymëmarrje të përjetshme Berisha”.

Nuk di ta kem hasur tjetërkund kaq mirë e bukur vërtetësinë e sentencës së Buffon-it: “Le style c’est l” homme”, sesa tek Corradini. Një stil njëherit komunikues dhe aristokrat, pra i fisëm, i përpunuar me kujdes, i rafinuar, në të dy rrafshet e sendërtimit: në mendim dhe në shtjellim. Stil i përbërë nga lëngje diskursive të derdhura mjeshtërisht në vena figuracioni, ku përshkëndisin dhe vezullojnë metaforat, metafora të fjalës dhe metafora të jetës. Një stil ku poezia bëhet filozofi dhe filozofia bëhet poezi. Ndoshta, thjesht për t’iu përshtatur Berishës, a për të lundruar në rrymat e realizimeve të tij; po, më së tepërmi, i ushqyer nga vetë formimi i tij intelektual dhe psikologjik. Një stil, i jetësuar në dy rrafshe që ecin parallel, aty përqafohen dhe aty largohen nga njëri-tjetri dhe anasjelltas: lënda diskursive, kritikë letrare, estetikë e filozofi të kapërthyera së bashku, dhe shtjellimi tekstor i formësuar në një tharmin poetik figurativ.

Leximin e romaneve, ai e përjeton jo thjesht si kritik, si analizues dhe vlerësues, që për të është një realitet i jetuar, përvojë e një kërkimi; po ai shkon më tej: këtë përvojë, ai e shndërron në një hapësirë krijuese teorike për probleme të letërsisë dhe të artit në përgjithësi, dhe, për më tepër, në një hapësirë thjesht krijuese artistike. Në raste të tilla, stili i tij i tejkalon kufijtë e formës, duke marrë jo vetëm fizionominë, po edhe elemente të përmbajtjes: “Po, Anton i dashur, dashuria në qenësinë e saj është këngë e natës së kujtimeve, këngë e orkestrës pa tribunë, këngë që sa shndërrohet në vezullimësinë e yjeve sa fundoset në errësirën e humnerave”.

Përmbledhtas: proza parashtruese e Corradinit cilësohet për trajtimin me një kulturë të gjerë të “thellësive” shpirtërore të botës shqiptare të rrëfyera në veprat e Berishës: sa më të thella thellësitë, aq më e gjerë kultura që i mat, kulturë që ngërthen disa disiplina shkencore. Ajo karakterizohet nga stili i një çiltërie të epërme, që buron nga afria dhe intimiteti shpirtëror me autorin e romaneve të analizuara.

Dallohet, gjithashtu, për parashtrime origjinale të çështjeve të ndryshme teorike që shqetësojnë studimet e sotme estetike, si qenësinë e veprës letrare, marrëdhëniet estetike të autorit, protagonistit të veprës dhe lexuesit, etj.

Narrativës së Berishës, Corradini i njeh sendërtimin mjeshtëror të bartjes së realitetit konkret jetësor në realitet artistik, aftësinë e trajtimit simbolik të faktit historik, forcën përgjithësuese të kumtiit artistik, mjeshtërinë figurative, kërkimin e veçantë gjuhësor, humanitetin e mesazheve.

Gjatë trajtimit të romaneve të A. N. Berishës, Corradini është shprehur me dhimbje, dashuri e nderim të thellë për shqiptarin, për botën e tij shpirtërore, për kulturën dhe, sidomos, për letërsinë shqipe.


Sqarime

1). Domeniko Korradini H. Brusard u lind më 14 nëntor të vitit 1942 në Katanxaro të Kalabrisë, në një familje me prejardhje suedeze.

Studioi në Shkollën e Lartë Normale të Pizës dhe në Maximilianeum Stiftung të Münchenit, Bavari. Në tetorin e v. 1971, fitoi konkursin për professor ordinar në Universitetin e Pizës. Është avokat mbrojtës pranë Gjykatës Supreme të Italisë.

Në vitin 1963, botoi në revista tri punimet e para filozofike. Shkrimet e vitit të fundit (2008) u kushtohen çështjeve të të drejtave të njeriut dhe të themelimit të së drejtës mbinacionale ose “gjeosëdrejtës”. Nga veprat e tij, midis të cilave disa u përkthyen në gjuhën portugeze, braziliane, greke, rumune turke dhe shqipe, janë: “I giorni dell’ inchiostro” (“Ditët e ngjyrimit”, 1983), “Gelso Bianco” (“Mani i bardhë”, 1988), “Corale dell’ inquietudine” (“Koralja e shqetësimit”, 1997), “Laudario crociato” (“Lavdërimi i kryqëzuar”, 2000). Vuri në skenë shfaqjen “Yo el Rey” (1991).

Nga viti 2003 punon për poemën lirike-epike “Alfabeti i dashurisë”.

Ka fituar çmimet: “Friedrich Nietzsche”, “Città di Catanzaro”, “Cultura Sila”, “Mar Jonio” dhe “Siracusa”.

Është përkthyes në gjuhën frenge, spanjolle, portugeze, braziliane, greke, angleze, gjermane dhe shqipe. Në shqip, iu botuan këto vepra: “Koralja e shqetësimit”, poemë, “Marin Barleti”, Tiranë, 1997; “Shtjella e kryqëzimit”, roman, “Shpresa”, Prishtinë 2005; “Lavdërimi i kryqëzuar”, “Faik Konica”, Prishtinë 2008.

1). Corradini njeh dhe vlerëson kulturën shqiptare, letërsinë dhe botën shqiptare, në përgjithësi. Ka treguar interes të veçantë për De Radën, Naimin dhe Migjenin. Ka përkthyer në italisht nga Naimi dhe Migjeni: “Shqipëria, nëna ime” dhe “Poema e mjerimit”, ende të pabotuara. Ka lexuar Agollin, Kadarenë, Mimoza Ahmetin, Dashnor Kokonozin dhe ka mendimet e veta për veprën e tyre. “Letërsia shqipe, së cilës i jam kushtuar që prej më tepër se 10 vite, është një letërsi e madhe. . . . Me punën time modeste, unë bëj atë që mundem për të mbrojtur në Itali kulturën shqiptare, që nuk është vetëm Kadareja”, shkruan ai në një letër personale. Vlerëson, në mënyrë të veçantë, narrativën e Anton Nikë Berishës, siç del nga analiza bërë romaneve. Ka rishikuar përkthimin në italisht të poemës së A. N. Berishës për Nënën Tereze: “Cascate di luce nel cuore” (“Ujëvarë drite në zemër”), që e boton Luigi Pellegrini Editore e Kozencës.

Për punën e tij në dobi të kulturës dhe të letërsisë shqipe, ai shkruan: “Kultura shqiptare është një kulturë shumë e rëndësishme; unë bëj atë që mundem dhe për atë që mundem nuk kursehem . . . Vendi i Shqipeve është bërë për të fluturuar, shqipet fluturojnë lart, dhe unë këtë ‘fluturim’ kërkoj ta ndjek me forcat e mia modeste; jam thjesht një shqipe e vogël”.

I rritur në Kalabri, pranë arbëreshëve, ushqen një dashuri e nderim të veçantë për arbëreshët. “Kalabria ime, prej kohësh “Vis i shpirtit”, më tepër se një vend i thjeshtë gjeografik ka mbetur e paprekur në zemrën time, e gjelbër, e freskët, e gjallë, e dridhshme...Dhe në zemrën time kanë mbetur shqiptarët e Kalabrisë, që kam njohur e çmuar që në fëmijëri.”. Ka treguar interes të veçantë për të drejtën zakonore e të drejtën shoqërore e kushtetuese shqiptare. Vlerësim të lartë i jep strukturës etike të popullit tonë: “Shqipëria është kudo, kudo ku njerëzit kanë bukë e zemër e krypë për miqtë. Kudo ku njerëzit i qëndrojnë besnikë vlerës etike të besës, që më duket se përfshin gjithë etikën”, shkruan ai.

No comments: